Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, thotë se e ka pranuar me shqetësim vazhdimin e gjuhës linçuese të grupit #mekryeministrin, në Facebook, ndërkaq sipas AGK-së përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e papranueshme për AGK-në.
E pas reagimit të AGK-së, ka reaguar edhe deputetja Fitore Pacolli.
““Seriozisht AGK? Po merreni me një grup të krijuar në Facebook edhe po më cilësoni kinse unë po mbështes gjuhën linçuese ndaj gazetarëve? Unë po i vësha në rrezik gazetarët?
Ku ishit ju AGK kur dje emri im u përmend në secilin portal? A nuk është ky një lloj linçimi që portalet po e bëjnë ndaj meje dhe një grupi të krijuar nga disa djem e vajza që asnjë të keqe nuk i kanë bërë askujt? A nuk është linçim kur telefoni im nuk ndalet sepse ‘gazetarët’ thërrasin edhe pyetjet janë jo etike?
AGK do të ishte mirë të punoni në ngritjen e etikës në media dhe besueshmërisë. Mos u frikësoni ne nuk e rrezikojmë e as nuk e kërcënojmë askënd. Nuk mund të gjeni asnjë moment kur unë kam linçuar e kërcënuar gazetarë. Nëse gjeni ju lutem dërgojeni menjëherë ama menjëherë në gjykatë. Ju lutem.
Ju thirreni në emër të lirisë së shprehjes e në anën tjetër cenoni lirinë e tjetrit”, shkruan Pacolli. /Telegrafi/