Një ish-bashkëshort është urdhëruar të paguajë rreth 550 milionë dollarë në një nga “pagesat” më të mëdha të divorcit në historinë juridike të Anglisë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ish-tregtari i naftës dhe gazit në Londër, nga Rusia, iu tha të paguante gruas së tij britanike 41.5% të pasurisë së tij, për të përmbushur nevojat e saj duke përfshirë një shtëpi në Londër dhe një vilë në jug të Francës.
Aty përfshihet një makinë Aston Martin me vlerë 450 mijë dollarë dhe një koleksion arti modern me vlerë mbi 90 milionë funte.
Gjithsesi, ajo që ka ngritur polemika është fakti se tregtari, 61 vjeç, nuk është emëruar.
Burri thuhet se u takua me gruan e tij, tani 44 vjeçare, në 1989 në Moskë ku po studionte dhe u martuan katër vjet më vonë, sipas një gjykimi të dhënë në Gjykatën e Lartë të Londrës të enjten.
Burri i cili ka lindur në Kaukaz, fitoi një pasuri në sektorin energjetik të Rusisë, duke shitur aksionet në një kompani ruse që ai krijoi për 1.37 miliard dollarë në vitin 2012.
Gruaja, me origjinë nga Evropa Lindore, e cila ishte një shtëpiake gjatë martesës, u bë shtetase britanike në vitin 2000 dhe solli dy fëmijët e tyre në Surrey, në jug të Londrës, ku u arsimuan në shkollat private përpara se të shkonin në universitet në Angli.
Ajo tha se pasuria e burrit të saj të huaj arriti në pak më shumë se 1 miliardë sterlina dhe argumentoi se pasuria ishte ‘fituar dhe ndërtuar gjatë martesës së tyre të gjatë nga kontributet e barabarta të familjes’. /Telegrafi/