Ish-“Miss Kosova”, modelja e njohur dhe prezantuesja e “Sport Plus” në RTK, Arbnora Ademaj, ditë më parë u bë temë e mediave lidhur me një ngjarje aspak të këndshme që preku shëndetin e saj.
Ajo u shtrua urgjent në një nga spitalet në Prishtinë, për shkak të disa komplikimeve në apendicit. E krejt këtë ngjarje të cilën e kujton si të errët, Arbnora e shpalosi në një intervistë ekskluzive për Telegrafin.
Modelja e nisi rrëfimin e saj, duke treguar se si kishte përjetuar dhimbjet e para.
“Të them drejtën pa pritur kam filluar të ndjej dhimbje në stomak dhe kam menduar që nuk do të jetë diçka serioze, por kur dhimbja filloi të rritej ,jam detyruar të drejtohem në njërin nga spitalet tona dhe pas disa konsultave u konstatua që kishe probleme serioze me apandesit dhe patjetër është dashur të bëja ndërhyrje”, tha Arbnora Ademaj për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, ish “Miss Kosova” rrëfen arsyen se pse dhe si gjithçka ndodhi aq shpejt.
“Sepse apendiciti, e njohur në zhargonin popullor si ‘zorra qorre’ ishte ënjtur dhe ishte në prag të shpërthimit për ketë arsye u bë ndërhyrja e menjëhershme që mos të komplikohej gjendja më shumë”, shton Ademaj.
Por, si është gjendja e modeles tani, dhe si e përjetuan familjarët e saj momentin kur ajo përfundoi në spital.
“Fatmirësisht tani jam mirë dhe çdo gjë ka kaluar mirë falë Zotit dhe kujdesit të doktorit Muhamet Maxhunit dhe stafit të klinikës. Ka qenë shumë shqetësues por kanë qenë të gjithë afër meje në ato momente: familjarët, shoqëria, njerëzit më të dashur për mua”.
Krejt kjo ngjarje e papritur, e ka bërë modelen e njohur të reflektojë, duke i shtuar asaj besimin dhe falënderimet në Zot. Kështu të paktën thotë ajo për Telegrafin.
“Sigurisht kur kalojmë momente të vështira gjëja e parë që të bie në mend është falënderimi ndaj Zotit dhe për çdo gjë në jetën time i falënderohem”.
Tani që gjithçka kaluar dhe operimi është kryer me sukses, Arbnora Ademaj tregon se si po vazhdon puna si moderatore në RTK, dhe sa është e përkushtuar në qendrën e saj të fitnesit.
“Faleminderit për vlerësim, deri tani çdo gjë po ecën mirë dhe mbarë, po mundohemi të ju mbajmë të informuar çdo ditë për më të rejat nga sporti në “Sport Plus”, në RTK. Të them drejtën fitnesin e kam lënë pak anash për shkak të angazhimeve tjera dhe tani fokusi im më i madh është puna në televizion dhe familja ime”, ka thënë Arbnora Ademaj.
Ka vite që modelen e shohim tërheqëse dhe atraktive në rrjetet sociale, ndërsa në pyetjen e Telegrafit nëse ka diçka të re në jetën e saj, ajo me buzëqeshje tha se vazhdon të mbetet beqare.
“Arbnora është akoma ‘single'”, shprehet modelja.
Në përfundimin e intervistës, Ademaj ka një falënderim për të gjithë ata që i qëndruan këto ditë pranë, në momentet më të vështira të jetës.
“Faleminderit dhe juve, dhe doja të ju falënderohem të gjithë atyre që kanë ndarë shqetësim me mua sepse me të vërtetë kam marrë thirrje dhe sms pa fund. Më kanë bërë të ndjehem shumë mirë dhe me fat kur kam kaq shumë njerëz dhe dashamirës pranë vetës”, ka përfunduar Arbnora Ademaj për Telegrafin.
Ndryshe, ish “Miss Kosova” e ka rimarrë tashmë veten, dhe pritet që shumë shpejt ta shohim në ekranin e RTK-së, në emisionin e sa përjavshëm që ajo prezanton. /Telegrafi/