Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e shënoi sot 72 vjetorin e themelimit të saj.
Me këtë rast, u shpërndanë disa çmime për gazetari hulumtuese për ekipin e emisionit “Kod” dhe Sllezhana Llupevska-Sozen, për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, si edhe për Mençe Atanasov-Toçi, për gjinekologun që për nëntë muaj e gënjeu një grua, për gjoja shtatzaninë e saj.
Ljubomir Gajdov fitoi shpërblim për vepër jetësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Naser Selmani, kryetar i SHGM-së theksoi se gazetarët në vend përballen me sfida serioze edhe pas vullnetit deklarativ të Qeverisë së re për të luftuar praktikën e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve.
Sipas tij, edhe procesi i miratimit të ligjit të ri për media është i ngadalshëm dhe i pasigurtë, pasi që, siç thotë Selmani, disa zgjidhje nuk janë në përputhje me praktikat evropiane.
Selmani shtoi se gazetarët në Maqedoni përballen me forma të reja të trysnisë ndaj tyre./Telegrafi/