Gentian Mezani është rikthyer në stolin e Gjilanit pas pesë ndeshjeve mungesë.
Trajneri nga Vlora kishte disa probleme dhe ishte jashtë shtetit, por ka disa ditë që ai është rikthyer dhe ka stërvitur Gjilanin.
Ndaj Drenicës në kuadër të xhiros së 13-të, Mezani ishte në stol dhe udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores së radhës.
‘Skifterat’ triumfuan me rezultat minimal 1-0, por për ta ishte e rëndësishme që t’i marrin tri pikët.
“Unë kisha disa probleme kështu që nuk isha pranë skuadrës. E rëndësishme është që kemi marrë rezultate pozitive dhe kemi treguar profesionalizëm në lojë”.
“Gjëja tjetër e rëndësishme është që ne e fituam këtë ndeshje, sepse kemi luajtur kundër një ekipi shumë të përgatitur dhe profesionist”.
“Do të jetë shumë e vështirë për çdo skuadër kundër Drenicës. Ne kemi qëllimin kryesor të fitojmë, kështu që do të luftojmë deri në fund për të”, deklaroi trajneri pas ndeshjes.
Me këtë fitore Gjilani ka blinduar pozitën e tretë në tabelë me 23 pikë, tri më pak se lideri Ballkani që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/