Gjatë ditës së sotme mediat turke raportuan se në Prishtinë është arrestuar Faruk Fatih Özer, pronari i kompanisë së kriptovalutave e që akuzohet për mashtrimin e 390 mijë personave.
Por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës, të cilët në një përgjigje për Telegrafin deklaruan se nuk kanë informacione për arrestimin e tij.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, deri më tani nuk kemi ndonjë informacion zyrtar për arrestimin e tij në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Telegrafin.
Ndryshe, mediat turke kanë bërë të ditur se Turqia ka dërguar njësi policore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut për të mbështetur përpjekjet atje për të ndjekur Faruk Fatih Özer, drejtor ekzekutiv i Thodex, platformës turke të shkëmbimit të kriptovalutave.
Sipas mediave turke, një urdhër arresti ndërkombëtar është lëshuar për Ozer i cili u arratis në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë javën e kaluar dhe besohet se mbante kodet e kriptovalutave të atyre klientëve me vlerë deri në 2 miliardë dollarë.
Po sipas mediumit në fjalë, Thodex, me më shumë se 390,000 përdorues, javën e kaluar mbylli operacionet ndërsa 70 persona u arrestuan në Turqi si pjesë e një hetimi ndaj kompanisë. Por 62 nga të arrestuarit më vonë u lanë të lirë.
Siç thuhet më tej, policia turke ka ngritur ekipe për të hetuar vendndodhjen e Ozer dhe për t’i dhënë mbështetje përpjekjeve të forcave lokale të sigurisë për ta zbuluar atë.
Ai po kërkohet në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/