Telegrafi

U raportuan parregullsi në Testin e Arritshmërisë, MASHTI: Ekipet janë në terren, ende s’kemi informacion zyrtar

Foto: Arkiv

Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, i cili është mbajtur në 176 qendra testimi, ndërkaq në media u raportua se përgjigjet e pyetjeve të testit kanë qarkulluar në rrjete sociale.  

Në lidhje me këtë nga Ministria e Arsimit nuk kanë ndonjë informacion zyrtarë nëse ka pasur ndonjë parregullsi në procesin e Testit të Arritshmërisë.

Këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Iliriana Pylla në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ekipet janë në terren.

“Ekipet janë të terren, derisa të përfundojnë të gjitha ekipet dhe monitoruesit e ministrisë ende s’kemi informacion zyrtarë. Deri tash s’kemi ndonjë indikacion…Më vonë dalim me komunikatë”, ka thënë Pylla.

Lexo po ashtu Nis Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta

Ndryshe, mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta sot po iu nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, i cili ka për qëllim të bëjë orientimin e nxënësve për regjistrimin në shkollat e mesme të larta.

Procesi ka filluar në orën 10:00, ku nxënësit i kanë pasur dy orë në dispozicion për tu përgjigjur në pyetjet e parashtruara.

Testi i sotëm kishte 100 pyetje nga katër lëndë, ndërsa 100 pyetje të tjera nga pesë lëndë të tjera nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë do t’i nënshtrohen më 14 qershor.

Testimi është duke u mbajtur në 176 qendra të testimit në të gjithë vendin, ku të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues. /Telegrafi/