Polonia ka “riatdhesuar” ari në vlerë prej rreth 5 miliardë dollarësh nga Londra në Varshavë në një operacion sekret që përfshinte aeroplanë, helikopterë, kamionë të teknologjisë së lartë dhe policinë speciale.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, një total prej tetë fluturimesh gjatë natës u bënë nga një aeroport i panjohur në Londër gjatë disa muajve këtë vit, duke transportuar 8,000 shufra ari me peshë 100 ton në disa vende në Poloni.
Siç thuhet tutje, rezervat e arit të vendit janë ruajtur në Bankën e Anglisë për dekada, pasi ishin evakuuar nga Polonia në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, në mes të frikës se ata do të binin në duart e nazistëve.
Por qeveria nacionaliste e Polonisë tani ka filluar riatdhesimin e arit në mënyrë që të ‘forcojë vendin’.
Firmës së sigurisë G4S International Logistics iu dha detyra e transportimit të arit, aktivitet ky i përshkruar si një nga lëvizjet më të mëdha të arit midis bankave në botë.
Një zëdhënës tha se udhëtimi i fundit, i cili ndodhi në 22 nëntor, pa që kamionët marrin 20 arka të mbushura me shufra nga një strukturë në veriperëndim të Londrës në një aeroport aty pranë.
Transportit iu dha një përcjellje policie dhe mbikëqyrej nga lart me një helikopter.
Pasi mbërritën në aeroport, shufrat u futën brenda një aeroplani transporti Boeing 737 dhe fluturuan në dy lokacione në Poloni. /Telegrafi/