Site icon Telegrafi

U paralajmërua hapja e urës mbi Ibër, BE tregon procedurat

Hapja e Urës së Ibrit është bërë temë diskutimi. E. Lidhur me këtë janë deklaruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana, tha se çdo vendim lidhur me urën e Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lachana, për Telegrafin.

Lexo po ashtu Elshani: Shumë shpejt do të hapet për qarkullim ura e Ibrit në Mitrovicë

Lachana tha se BE-ja vazhdon t’u bëjë thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e Dialogut në pritje pa vonesë, përfshirë Marrëveshjen për Urën – dhe pa asnjë parakusht.

“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, deklaroi Lachana.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë të mërkurën se shumë shpejt do të hapet ura e Ibrit në Mitrovicë.

Elshani tha se janë duke diskutuar me eprorët se si mund të bëhet hapja e urës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version