Site icon Telegrafi

U ndaluan punimet për restaurimin e saj shkaku i reagimeve të shumta, kush ishte Xhafer Deva dhe çfarë historie bartë shtëpia e tij në Mitrovicë?

Vendimi i Ministrisë së Kulturës ditë më parë për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë për të cilin u tha se ishte bashkëpunëtor i nazistëve gjerman, u komentua jashtëzakonisht shumë.

Reagimet e zyrtarëve të shumtë, përfshirë këtu ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon të cilët u shprehën kundër restaurimit të kësaj shtëpie, bënë që Zyra e BE-së në Kosovë dhe UNDP të marrin vendim për pezullimin e punimeve për restaurimin e kësaj shtëpie.

E me këtë vendim nuk po pajtohen historianët e qytetit të Mitrovicës. Enis Kelmendi, nënkryetar i Lidhjes së Historianëve të Mitrovicës në një intervistë për Telegrafin tha se janë kundër që të ndalohen punimet.

Lexo po ashtu Pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës

“Ne si Lidhje e Historianëve të Mitrovicës jemi kundër që të stopohet puna e rikonstruktimit të shtëpisë së Xhafer Devës, duhet me ja lënë historianëve edhe historisë dhe shkencës me u marrë me zbërthimin e figurave historike jo politika të ndikoj në këtë, jo me vendime politike të damkoset dikush. Ne jemi që të ruhet mbamendja kolektive, ne nuk jemi që të shkatërrohet kjo shtëpi”, u shpreh Kelmendi.

Enis Kelmendi- nënkryetar i Lidhjes së Historianëve në Mitrovicë

Ai shtoi se ne nuk mund ta krahasojmë dhe të themi që Xhafer Deva ishte alfa dhe omega e zbatimit të politikës naziste ose shfarosjes kundër një popullate siç është rasti i romëve, serbëve lokal ose i hebrenjve që kanë qenë këtu një pjesë rreth 200 persona në Mitrovicë.

“Sipas të dhënave thuhet se ai është munduar ta mbrojë këtë popullatë, por për fat të keq nuk kemi dëshmi të shkruara ose dëshmi si fotografi, por sipas gojëdhënave 25 hebrenj janë shpëtuar dhe kanë dalë në zonën mes Qyqavicës dhe kanë shkuar në Kavajë, por pjesa e tjetër fatkeqësisht kanë përfunduar keq”, tha Kelmendi për Telegrafin.

Historiani theksoi se duke e kryqëzuar figurën e Xhafer Devës nuk dëshirojnë që të jetë mbamendje shtëpia e një personi.

“Kjo shtëpi nuk ka qenë burg e as nuk është ekzekutuar dikush. Ne nuk mund ta fshijmë historinë. Në dokumentet jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore nuk gjej në asnjë vend që thotë se Xhafer Deva e ka konfiskuar ndonjë shtëpi të hebrenjve, ose ka dhënë urdhër për me arrestu ose me dorëzu dikë prej tyre te gjermanët. Pasi nuk kemi kësi informacione nuk mund ta akuzojmë dikë vetëm pse shkenca dhe akademia serbe e ka damkos për 50 vite një person. Ne jemi kundër vendimeve politike për këtë çështje”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se ambasadori gjerman në Kosovë iu është referuar të dhënave serbe kur ka reaguar kundër restaurimit të kësaj shtëpie.

Lexo po ashtu Historianët e Mitrovicës mbështesin restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, thonë se ky objekt nuk është nazist, e as fashist

“Ambasadori gjerman ka interferuar këtu duke iu referuar të dhënave serbe, nuk ju ka referuar të dhënave të tjera. Është dashtë të merren informacione më detajisht se kush ishte ky person”, theksoi Kelmendi.

Nënkryetari i Lidhjes së Historianëve të Mitrovicës gjatë kësaj interviste për Telegrafin, ka treguar se për çfarë ishte destinuar të shërbej kjo shtëpi pas restaurimit. Kelmendi bëri të ditur se nuk ka qenë qëllimi që të destinohet si shtëpi muze.

“Ne si popull nuk kemi dashtë me destinu si shtëpi muze, por kjo ka vlera artistike dhe arkitektonike dhe për këto vlera ne po duam ta ruajmë dhe po duam ta destinojmë për çështjen e trashëgimisë kulturore… S’ka zyre, as s’ka vend, kish qenë një ambient shumë i mirë që me u vendos aty, një galeri një kënd i historisë ku ne mund të mbajmë konferenca, simpoziume të ndryshme për historinë e këtij vendi”, tha Kelmendi, duke shtuar se janë kundër që kjo shtëpi të rrënohet.

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë/ Foto: Korab Basha

Ai shtoi se objekte të tilla ka shumë pak dhe të rrënohet edhe ky objekt është gjynah dhe e padrejtë. Kelmendi theksoi se roli i shoqatave duhet të jetë i madh dhe të mos lejohet rrënimi i këtij objekti.

“Roli i shoqatave duhet me qenë më i madh që mos me leju që kjo të rrënohet dhe Qeveria me buxhet të sajin ta ri-konstruktojë këtë shtëpi dhe të dëshmojmë që ne nuk duam që ta falsifikojmë historinë, ne jemi për me pasurua sepse nuk kemi frikë nga askush, ne nuk i kemi bërë dëm askujt dhe ai që ka bërë dëm që ka bërë krime le të dënohet”, u shpreh Kelmendi.

Historiani theksoi se ky objekt ka një stil të veçantë perëndimor sepse është ndërtuar nga austriakët, e po të njëjtit stil është edhe shtëpia e kirurgut hebrenj, për të cilin tha se pse të mos bëhet edhe ajo një muze për Holokaustin.

“Shteti i Kosovës duhet ta restaurojë këtë pjesë të jap më shumë për kulturën, të konsultohet me njerëz që e njohin këtë fushë të mos bie pre e provokimeve të ndryshme edhe të sheh qartë ku është mundësia që të veprohet më drejtë se që është vepruar. Ta pasqyrojmë historinë tonë ashtu siç është pa e falsifikuar historinë, siç bëjnë serbët”, u shpreh Kelmendi.

Kujtojmë se dje ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se po restaurohet monumenti e nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. “Nuk po bëjmë asgjë përveç që po e restaurojmë një monument, po e mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe nuk po e rehabilitojmë as historinë e Xhafer Devës, e as të ndonjë figure tjetër historike”, tha ministri.

Kush ishte Xhafer Deva dhe cili ishte funksioni i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Ai u lind në Mitrovicë në vitin 1904 dhe një pjesë të shkollimit e kreu në Greqi, Turqi dhe Austri.

Fotografi e Xhafer Devës e realizuar në vitin 1944

Sipas historianit Enis Kelmendi, Xhafer Deva nuk ka pasur rol në dëmtimin e të tjerëve.

“Xhafer Deva si personalitet i cili ka pasur një shkollim të jashtëzakonshëm dhe i cili ka qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore njëri prej udhëheqësve dhe personaliteteve kryesore shqiptare gjatë kohës së nazizmit. Ka një peshë të madhe për historinë e këtij vendi, sidomos për veriun e Kosovës, gjegjësisht për qytetet Vushtrri, Mitrovicë, Zveçan dhe pjesët e tjera të veriut të Kosovës. Ai së bashku me shumë personalitete tjera siç është Rexhep Mitrovica, Asllan Boletini, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Bedri Pejani e të tjerë kanë luftuar që pjesën e veriut që ishte e ndarë dhe ishte pjesë e shtetit serb, që ta fusin edhe këtë pjesë në shtetin e bashkuar atëherë në kohën e Italisë fashiste gjegjësisht të Shqipërisë së pushtuar por që ishte në një kufi nën pushtimin italian që ta fusin edhe këtë pjesë të veriut në atë zonë dhe për këtë arsye kanë formuar edhe Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit ku fillimisht kryetar ka qenë Rexhep Mitrovica, pastaj Xhafer Deva e Bedri Pejani”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se lufta ka qenë e pastër shqiptare dhe nuk ka qenë për ndonjë ideologji, sepse në realitet shqiptarët siç shprehet Kelmendi nuk kanë njohur ndonjë ideologji se çfarë është komunizmi, fashizmi, nazizmi etj sepse shqiptarët çdo herë kanë qenë me ata që kanë qenë kundër sllavëve dhe serbëve.

“Pas pushtimit në vitin 1943 pas kapitullimit të Italisë dhe pas marrjes në kontroll të gjithë Shqipërisë së asaj kohe d.m.th nga ushtria naziste, atëherë Xhafer Deva ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme, dhe këtë gjë nuk mund ta mohojmë. Roli që ka pasur ai nuk ka qenë në dëm të tjerëve, ai nuk ka bërë shfarosje të ndonjë popullate”, tha Kelmendi.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva ishte larguar nga Kosova për në Austri, pastaj Itali, Egjipt dhe Siri, prej ku kishte zhvilluar aktivitete politike, kryesisht përmes botimit të gazetave. Në vitin 1956, ai migroi në SHBA, ku jetoi deri në fund të jetës.

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë/ Foto: Korab Basha

Shtëpia e Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë. Që nga viti 1945 ka qenë në pronësi publike dhe është shfrytëzuar si qendër mjekësore, vendqëndrim për familjet e pastreha, jetimore, ndërsa në një periudhë të caktuar kohore ka shërbyer edhe si ndërtesë komunale.

Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij. Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë. /Telegrafi/

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë/ Foto: Korab Basha
Exit mobile version