Në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), në Prishtinë të enjten është mbajtur Aspire Demo Day, në kuadër të raundit të dytë të Kapitullit Republika e Kosovës/Maqedonia e Veriut, një program unik që inkurajon gratë nga Kosova dhe Ballkani të bëhen sipërmarrëse dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre biznesore në startup, përmes mentorimit nga partnerët izraelitë.
Programi është i frymëzuar në partneritet me programin ASPIRE në Përshpejtuesin AtoBe në Kolegjin Azrieli në Jerusalem të Shtetit të Izraelit.
Nikoqire në këtë ngjarje ishin Vjollca Çavolli, Drejtore Ekzekutive pranë Shoqatës së Kosovës për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, dhe Maja Staleska nga Together Advancing Common Trust (TAKT) në Maqedoninë e Veriut.
Programi mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, me partneritet të përbashkët me Tamar Ziv, ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, dhe Simona Frankel, ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe me partnerë kryesorë STIKK dhe TAKT.
Në mesin e mysafirëve të veçantë dhe mbështetësve të programit ishin ambasadoret Ziv dhe Frankel, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe Donjeta Sahatçiu, zëvendëskryetare e Komunës së Prishtinës.
Të pranishmit shijuan 13 prezantime të ideve të biznesit nga gra sipërmarrëse.
Pjesë e jurisë ishin Liora Bet-Halachmi, shefe Ekzekutive pranë Dynamic Teams M&C, Zana Shehu-Budima, Menaxhere për Kosovë pranë SQA Consulting SEE, znj. Ivana Stankoviq, Lehtësuese për Investime pranë SwissEP.
Kjo ngjarje u organizuara si pjesë e Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë nën programin Aspire Balkans, përmes së cilit synohet ndërtimi i një rrjeti biznesesh të grave që do të lidhë dhe fuqizojë gratë kreative nga Kosova dhe rajoni për të qenë sipërmarrëse dhe lidere, me mentorim dhe mbështetje nga gratë, liderët dhe ekspertët izraelitë. /Telegrafi/