KB Prishtina përmes një statusi në rrjetet sociale ka dhuruar informacione të reja sa i përket gjendjes shëndetësore të basketbollistit Rashad Williams, pas lëndimit që pësoi në duelin ndaj Bashkimit.
Prishtina udhëtoi në palestrën ‘Sezai Surroi’ në Prizren për t’u përballur me Bashkimin, aty ku pësoi humbje me rezultat 93:80.
Përtej rezultatit lajm i keq për kryeqytetasit ishte momenti kur Williams u detyrua të largohet nga loja më herët pas një lëndimi që pësoi e që i cili e detyroi që me urgjencë të transportohej në spital.
Sidoqoftë, nga klubi i Prishtinës tashmë kanë njoftuar se Williams është jashtë rrezikut për jetë dhe pas vendosjes së imobilizatorit në qafë, ai është liruar për në shtëpi.
Njoftimi i plotë i KB Prishtinës:
“Gjatë çerekut të dytë të ndeshjes së djeshme lojtari i skuadrës sonë Rashad Williams pësoi një lëndim për të cilin u desht të dërgohej me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit”.
“Williams ka pësuar një goditje të rëndë në regjionin e qafës dhe pas ekzaminimeve mjekësore i është vendosur imobilizatori në qafë dhe është liruar nga spitali”.
“Për seriozitetin e lëndimit dhe kohën e rekuperimit do t’ju njoftojmë posa të kemi informacione të reja”, thuhej në njoftimin e Prishtinës./Telegrafi/