Taulata Gjerqeku është një shqiptare e Kosovës që u largua nga Prishtina gjatë viteve të luftës dhe emigroi në Zelandë të Re ku dhe sot jeton e punon në Okland. Ajo është me profesion arkitekte.
“Prej Prishtinës në kohën e luftës ne shkuam në Maqedoni, qëndruam me miq, familjarë. Djalin e axhës e kisha në Zelandë dhe ai sponsorizoi ardhjen tonë këtu. Qëndruam 2 muaj në Maqedoni dhe në Maj të 1999 erdhëm në Okland të Zelandës së Re me statusin e refugjatit. Shumica e kushërinjve tanë që kanë qenë këtu kanë qenë të integruar mirë dhe kanë jetuar në zona të mira”.
Taulata ishte studente në Prishtinë kur u detyrua të largohej prej andej, studime të cilat i përfundoi në Zelandë të Re dhe u diplomua për arkitekte.
“Fillimisht kam qenë studente në Universitetin e Prishtinës, por kur erdha në Zelandë u desh t’i filloj studimet prej së pari. Këtu u diplomova dhe pastaj kreva një provim që të jep titullin arkitekt. Ka qenë e vështirë sepse sistemi i edukimit këtu është krejt tjetër me atë që kam qenë duke bërë në Prishtinë”.
Në Zelandë të Re ka një komunitet shqiptarësh prej 800 deri në 1000 persona. Pjesa më e vështirë, siç thotë Taulata, është udhëtimi për të ardhur në Kosovë, që zgjat rreth 45 orë.
“Komuniteti është relativisht i vogël, jemi gjithsej 800-1000. Ne që kemi ardhur gjatë luftës jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Pjesa tjetër herë mblidhemi herë jo. Me shqiptarët e Shqipërisë takohemi. Ndonjëherë organizojnë festat e tyre veçmas, ndonjëherë bashkë. Në përgjithësi i gjendemi shumë njëri-tjetrit në rast nevoje. Zelanda është një vend shumë i largët. Vetë udhëtimi prej vendeve tona zgjat rreth 44-45 orë. Ajo është problemi kryesor për shumicën. Jeta këtu më pëlqen, është një vend shumë i qetë. Natyra është shumë e bukur. Ndërtesat nuk janë shumë të larta mirëpo hapësira, deti, gjelbërimi është pjesë kyçe e jetës”.
Nga Kosova, thotë që i mungon familja dhe shoqëria.
“Nga Kosova më mungon familja, shoqëria. Këtu nuk mud ta takosh dikë brenda gjysmë ore, mundësisht duhet ta lësh takimin 1 javë përpara. Mirëpo njeriu përshtatet në çfarëdo rrethana. Çdo gjë të mungon nga vendlindja”./Tv Klan