Skuadra e Ballkanit është afër transferimit të një futbollisti tjetër nga kampionati i Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për sulmuesin, Mamadou Danfa që është pjesë e FC Shkupit.
Sipas informacioneve jo zyrtare që arrin të mësoj “Telegrafi”, Danfa ka arritur marrëveshje me Ballkanin dhe do të jetë përforcimi i ri i kampionëve të Kosovës.
Burimet e “Telegrafit” bëjnë me dije se Danfa do të firmos kontratë dy vjeçare me Ballkanin dhe ditëve në vijim do të zyrtarizohet nga ana e klubit.
22-vjeçari erdhi verën e vitit të kaluar te Shkupi, ku me ekipin nga Çairi regjistron 33 paraqitje, katër gola dhe katër asistime në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.
Danfa para se të transferohet te Shkupi, ka luajtur në Ukrainë me skuadrën Kolos Kovalivka, ndërsa para saj ishte pjesë e Casa Sports në vendlindjen e tij në Senegal.
Kujtojmë se ky do të jetë futbollisti i dytë për Ballkanin që transferohet nga kampionati i Maqedonisë së Veriut, pasi në këtë merkato, Ballkanit iu bashkua edhe algjeriani, Walid Hamidi që së fundmi kishte luajtur për Shkupin. /Telegrafi/