Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me mungesën e ftesës nga ana e homologut grek, Kyriakos Mitsotakis, për të marrë pjesë në darkën informale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, e cila përfundoi me një deklaratë të përbashkët ku përfshihej mbështetja për Ukrainën dhe çështja e zgjerimit të BE.
Kreu i qeverisë shkruan se zgjodhi të heshte për situatën pasi ky takim sipas tij ishte shumë i rëndësishëm dhe pjesëmarrësit duhet të liheshin të qetë të përfundonin punën e tyre.
“Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre. Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të thyer bukën me liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët”, shkruan Rama.
Më tej kryeministri shprehet se shpreson që takimi të ishte produktiv dhe do të ishte “më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpreson që ky fakt fatkeq të mos ngatërrojë të nderuarit e ftuar”.
Rama mes të tjerash shkruan se në tetor, Shqipëria do të presë Samitin e Procesit të Berlinit dhe kryeministri grek do të jetë i ftuar.
“Tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjem duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”, përfundon Rama. /Telegrafi/
Here is my answer for all those, in Greece, Albania or elsewhere, who commented in various ways or were perplexed by my absence in Athens, but also for the journalists that asked for my opinion and didn’t get a response before the event. The reason is simple: I did not want to… pic.twitter.com/Gu1XB2dZiV
— Edi Rama (@ediramaal) August 22, 2023