Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), duke iu përgjigjur kritikave se ka fshirë historikun e aktiviteteve diplomatike nga uebfaqja, ka njoftuar se kjo e fundit është në proces të ridizajnimit.
Ish-diplomatë të Kosovës janë ankuar të mërkurën në dikasterin që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, duke thënë se ka zhdukur nga faqja zyrtare gjithë historikun e aktiviteteve diplomatike, duke përfshirë kumtesat, takimet e qëndrimet zyrtare të këtij institucioni.
Por, nga MPJD-ja në një përgjigje me shkrim për Telegrafin se në uebfaqe janë duke u përditësuar informacionet.
“Ju njoftojmë se uebfaqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është në proces të ridizajnimit dhe përditësimit të informacioneve. Lidhur me këtë, në uebfaqe është i shkruar njoftimi ku thuhet (pjesa e fundit me ngjyrë të verdhë): ‘uebfaqja e re është duke u pasuruar me përmbajtje dhe veçori të reja, përmbajtja e vjetër do të shërbehet shumë shpejt tek arkivi.mfa-ks.net’”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gjatë ditës, ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar si veprim të papranueshëm dhe joserioz. Sipas saj, në historikun e ish-ministrave të jashtëm figurën vetëm ish-ministri Glauk Konjufca.
“E papranueshme se si Ministria e Jashtme paska zhdukur gjithë historikun e aktiviteteve diplomatike, kumtesave, takimeve, njoftimeve e qëndrimeve zyrtare nga website i MPJD-së. Madje në historikun e ish-ministrave të jashtëm figurën vetëm ish Ministri Konjufca! Sinqerisht e pakuptimtë dhe joserioze!”, ka shkruar ajo në Facebook.
E një replikë në postimin e Haradinaj-Stubllës e ka bërë ish-kryediplomati tjetër, Petrit Selimi, i cili ka thënë se nuk ka dashur ta besojë një gjë të tillë.
“O shoku Enver Hoxha u kthye nga vdekja. Nuk doja ta besoja Melisa Haradinaj-Stublla, por është e vërtetë. Me sa duket në historinë e Kosovës ky është i vetmi ish-ministër i Punëve të Jashtme”, ka shkruar ai në platformën “X”.
E ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se kjo është fyese për ish-ministrat e jashtëm.
“Sipas faqes së internetit të MPJD-së, në 15 vitet e pavarësisë së saj Kosova ka pasur vetëm një Ministër të Jashtëm. Kjo është jo vetëm e pavërtetë por edhe fyese për ish-ministrat e jashtëm”, ka shkruar Nikaj në platformën “X”. /Telegrafi/