Georgina Rodriguez ishte njëra prej protagonisteve në edicionin e sivjetmë të festivalit të popullarizuar italian, Sanremo, ku u shfaq të enjten mbrëma në krah të nikoqirit Amadeus.
Ajo shkëlqeu në këtë eveniment dhe dukej mjaft e disponuar, ndërkohë që në publik ndodhej partneri i saj, superylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo.
Porse, për t’u shfaqur në skenë, organizatorët e festivalit është dashur të ndajë 140.000 euro që ishte pagesa e bukuroshes.
Dhe derisa shumë përdorues të rrjeteve sociale kishin nisur kritika kundrejt saj, Torino Today raporton se këto para, Georgina do t’ia dhurojë spitalit të fëmijëve, “Regina Margherita”.
Stafi i 26-vjeçares tashmë e ka kontaktuar stafin e spitalit për t’ua kumtuar qëllimet e Rodriguez për dhurimin e parave të paguara nga Sanremo.
Georgina e ka ndihmuar edhe në të kaluarën këtë spital dhe në këtë mënyrë i ndjek hapat e Ronaldos, i cili është i njohur për aktivitetet e shumta bamirëse. /Telegrafi/