Telegrafi

U kërkua që Qeveria dhe Kuvendi të marrin masa ndaj mediave, Bislimit i kërkohet të distancohet nga deklarata e Fitore Pacollit

Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi i është kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, që të distancohet nga deklarata e deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli lidhur me mediat.

Ishte deputetja e PDK-se, Blerta Deliu-Kodra e cila ia kërkoi Bislimit që mbajë një qëndrim lidhur me deklaratat e deputetes Pacolli.

“Për rastin e Fitore Pacollit… pse s’po e thoni një fjalë, pse s’po merrni anë me thënë ‘është gabim’ sepse jeni zëvendëskryeministër, përgjegjës për procesin integrues dhe për çështje të dialogut Prandaj, ju e dini shumë mirë, për një vend demokratik që raportet të vijnë me zëra të shumicës që sot kërkon cenzurë, dhe kërkon të ketë kontroll nga Kuvendi dhe Qeveria për mediat, është më e pakta që duhet ta thoni sot në këtë takim”, tha Deliu.

Por Bislimi, nuk deshi fare ta prekë këtë temë duke u shprehur “se nuk jam këtu për këtë çështje”.

“Nuk kam ardhur të bëj debat politik me juve, për arsye se deputetët mes vete e kanë pastaj seancën plenare ku i ballafaqojnë qëndrimet, e kjo vlen edhe për ato brengat që i keni ju për deklaratën e deputetes rreth mediave”, tha ai.

Lexo po ashtu Deputetja e LVV-së: Investime të mëdha private në media, Kuvendi dhe Qeveria të merr masa

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës u deklarua për punën e mediave në vend, duke thënë se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media përmes së cilës është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik.

“Edhe si Qeveri edhe si Kuvend duhet të marrim masa sepse viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media përmes së cilës është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik

Pra këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe të Qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e medias, transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, tha ajo. /Telegrafi/