Atalanta ka konfirmuar se Gian Piero Gasperini do të qëndrojë për ta drejtuar skuadrën në sezonin e parë në histori të klubit në Ligën e Kampionëve.
Strategu italian u kërkua nga Roma (për ta zëvendësuar Claudio Ranierin) dhe nga Milani (në vend të Gennaro Gattusos), mirëpo vendosi të qëndronte te skuadra që e kualifikoi për herë të parë në garën më të madhe evropiane për klube.
“Me kënaqësi të madhe, mund të konfirmoj se raportet në mes të Atalantas dhe trajnerit tonë, Gian Piero Gasperini, do të vazhdojnë. ka thënë presidenti i Atalantas, Antonio Percassi, për faqen zyrtare të klubit.
ANSA bën të ditur se ish-trajneri i Interit e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2022 me opsionin për një vit shtesë dhe do të paguhet 2.2 milionë euro në sezon.
Atalanta e zuri vendin e tretë në Serie A këtë edicion, duke i lënë jashtë Ligë së Kampionëve, klubet si Milan dhe Roma. /Telegrafi/