Sot në selinë e FFK-së, Komisioni i Garave, në praninë e përfaqësuesve të klubeve e ka bërë tërheqjen e shortit për ndeshjet e barazhit për IPKO Superligë, ku janë caktuar skuadrat në cilësinë e vendasit.
Kjo i ka dhënë mundësi klubeve në cilësi të vendasve që të kenë përparësi në zgjedhjen e ngjyrave të fanellave si dhe të zgjedhin tribunat ku do të vendosen tifozët e tyre, pasi siç dihet çiftet përcaktohen në bazë të renditjes përfundimtare në Superligë dhe Ligën e Parë.
Kësisoj, në ndeshjen Gjilani – Besa, e cila luhet nesër (e enjte), tifozët gjilanas do të vendosen në tribunën lindore, derisa ata pejanë në tribunën perëndimore.
Ndërkaq, në ndeshjen Trepça’89 – Vëllaznimi, e cila zhvillohet të shtunën (më 1 qershor), tifozët mitrovicas do të vendosen në tribunën perëndimore, derisa ata gjakovarë në tribunën lindore.
Të dyja ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe fillojnë në orën 16:00. /Telegrafi/