Site icon Telegrafi

U harxhuan miliona, por shatërvani në shesh nuk punon, Bashkia e Shkupit fajëson qeverisjen e kaluar

Me ngritjen e temperaturave shatërvani te përmendorja Aleksandërit të Madh dhe ato në sheshin Filipi i Dytë u lëshuan, por jo edhe shatërvani në mes të sheshit të Shkupit.

“Ndonëse shatërvani tek Aleksandri i Madh është lëshuar, shatërvani në mes të qytetit tash e disa kohë nuk është funksionalë edhe pse janë harxhuar miliona denarë për ndërtimin e tij”. Ky shatërvan i cili është mjaft atraktiv për qytetarët, e sidomos të vegjlit shpesh herë është jashtë funksionit. Në atë pjesë ku buronte ujë tani kalojnë qytetarët, por me një vëmendje të shtuar, sepse pllakat nuk janë të riparuara si duhet.

Nga qyteti i Shkupit fajin e hodhën tek qeverisja paraprake.

“Shatërvani me mozaik kub i vendosur në sheshin Maqedonia në periudhën e kaluar nuk ishte vënë në funksion për shkak të dëmtimit të caktuar të disa mekanizmave në nivelet nëntokësore të shatërvanit si pasojë e neglizhencës së viteve të fundit. Ekipet e NP “Ujësjellës Kanalizime” janë duke punuar në sanimin e defektit”- thonë nga Qyteti i Shkupit.

Shatërvani sipërfaqësor u ndërtua shtatë vjet më parë kur me Shkupin udhëhiqte Koce Trajanovski, si pjesë e një projekti në shesh me vlerë 2.5 milion euro.

E përveç kësaj edhe shatërvanët që ndodhen në lumin Vardar ende nuk janë funksional.

Ndryshe, 35 milionë denarë “derdhen” në nivel vjetor për mirëmbajtjen e shatërvanëve në sheshin “Maqedonia”, sheshin “Filipi i Dytë” dhe nga shatërvanët te parku “Gruaja Luftëtare” që ndodhen në qendër të Shkupit.(TV21)

Exit mobile version