Sot është hapur për qarkullim të veturave një pjesë e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, saktësisht deri tek hyrja kryesore e Parkingut nëntokësor.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunë të Prishtinës, Bekim Brestovci në një prononcim për Telegrafin tregoi përse erdhi deri te ky vendim i përkohshëm.
Ai tha se Parkingu 038 planifikon ndërhyrjet në zgjerimin e hyrjes e cila është shfrytëzuar deri më sot si dhe disa punime tjera.
“E, ne meqenëse nuk kemi filluar me zbatimin e projektit të sheshit ‘Xhorxh Bush’, atëherë kemi pas një dakordanc që për aq kohë sa atyre iu nevojitet për me rregullu pjesën e hyrjes e cila është deri më tani inekzistente, të shfrytëzohet kjo pjesë e rrugës që qytetarët të kenë qasje për tu parkuar përmes hyrjes kryesore”, ka thënë Brestovci.
Ai po ashtu tregoi se kur pritet të nisin punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
“Më vonë parashikojmë që nga muaji maj e tutje të kemi edhe fillimin e punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’, mirëpo deri atëherë besojmë fuqishëm që parkingu 038 do ta kryejë pjesën tjetër të punimeve që ata i kanë paraparë. Dhe pastaj ne do të vazhdojmë me punimet në sheshin ‘Xhorxh Bush’ “, ka thënë Brestovci.