Theo Hernandez është ftuar për herë të parë nga Kombëtarja e Francës, pas shkëlqimit në dy vitet e fundit me Milanin në Serie A.
Pavarësisht formës së mrekullueshme që po kalonte me Rossonerët, trajneri Didier Deschamps nuk e ftonte Theon në Kombëtare.
Por ftesa për të ka ardhur dhe lojtari po pret debutimin në ndeshjen e sotme ndaj Ukrainës.
Ai ka thënë se i është realizuar një ëndërr që është grumbulluar nga Kombëtarja e Francës, edhe pse më parë edhe Spanja ka bërë përpjekje për të.
“Ka qenë gjithmonë ëndërr e imja që të grumbullohem e më në fund kjo u bë realitet. Jam shumë krenar që jam këtu dhe jam ambientuar menjëherë pasi shumë nga shokët i njihja më parë”.
“Tani që ia dola të grumbullohem do të bëj të pamundurën për të vijuar të jem pjesë e këtij grupi të mrekullueshëm”.
“Kam dashur gjithmonë të luaj për Francën, pavarësisht se edhe Spanja i ka bërë disa përpjekje në sezonet e kaluara”, tha Theo Hernandez.
Theo për një pozitë te Franca lufton me vëllanë e tij Lucas Hernandez, i cili për momentin është i lënduar.
Mbrojtësi anësor i Milanit ka thënë se shpesh bëjnë shaka me vëllanë e tij duke i thënë se do t’ia zë vendin te Franca.
“Shpeshherë ne qeshim për faktin se do t’ia zë vendin. Këto janë shaka brenda familjes. Secili ka cilësitë e veta, unë mund të jem më i shpejtë, por gjithçka varet nga zgjedhjet e trajnerit. Ai është vëllai im, e dua shumë. Do të dëshiroja të ishte këtu dhe shpresoj të luajmë bashkë herën tjetër”, deklaroi Theo Hernandez. /Telegrafi/