Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Vlorë ka pezulluar nga detyra dy inspektorë për shkelje të Kodit të Etikës.
Në rrjetet sociale kanë dalë foto ku shihet dy policës duke u puthur dhe përqafuar brenda makinës së policisë.
Sipas njoftimit të Policisë masa ndaj inspektorit me iniciale F. Xh. dhe inspektores V. Ç., u mor pas publikimit në rrjetet sociale, të një fotoje në të cilën shfaqen dy punonjës policie, në automjetin e shërbimit, duke shkelur Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit.
Ata i përkasin Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë në Vlorë.
Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjësit e Policisë. /Telegrafi/