Telegrafi

U detyruan të punonin ilegalisht në një fermë kanabisi, prej kontrabanduesve që i futën ilegalisht në Britani të Madhe: Dënim me burg tre shqiptarë

Policia zbuloi para katër muajsh, një fermë me bimë të kultivuara kanabisi në Gateshead të Anglisë, mirëmbajtës të së cilës ishin tre shqiptarë.

Fatlum Alija, Fatbardh Selimi dhe Agim Isufi janë arrestuar nga policia dhe u dërguan në mbajtje, pasi iu gjetën mbi dymijë bimë kanabisi, në faza të ndryshme të rritjes, transmeton Telegrafi.

Mësohet se ata kishin hyrë ilegalisht në Britani të Madhe, në kërkim të një jetë më të mirë dhe një pune normale, por thuhet se u detyruar nga kontrabanduesit që transportuan ata ilegalisht, që të merren me bimët narkotike.

Fatbardh Selimi
Fatlum Alija

Kur dolën para drejtësisë, ata thanë se ishin të detyruar të punonin në këtë fermë ilegale, sepse duhet të paguanin borxhet, ndërsa kishin edhe frikë për jetën e tyre.

Agim Isufi

Gjykata i dënoi Fatlumin dhe Fatbardhin me nga dy vite burg, derisa Agimin që është vetëm 19-vjeçar, u dënua me 20 muaj burg që do ta përfundojë në një qendër riedukimi.

Autoritetet e sigurisë, kanë thënë se ndalimi i aktivitetit të kësaj ferme, që llogaritet të arrinte në treg vlerën e 825 mijë paundve apo afro një milion eurove, është një arritje shumë e madhe. /Telegrafi/