Telegrafi

U dënua për ryshfet, ish-zëvendësministrja shqiptare nuk do të shkojë në burg

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shuar masën arrest me burg ndaj ish-zëvendësministres së Brendshme të Shqipërisë, Rovena Voda, e cila u dënua me 10 muaj burg për korrupsion.

Pas vendimit të fundit, Voda u shpreh se tashmë “kam humbur një betejë por lufta për të vazhdon ende”.

Voda nuk shkon në qeli, pasi është gjykuar në masën e “arrestit në shtëpi” dhe vendimi nuk është i formës së prerë. Prokuroria e Posaçme SPAK kishte kërkuar 1 vit burg për ish-zëvendës ministren dhe përjashtimin e saj nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.

Lexo po ashtu Shqipëri, 10 muaj burg për ish zëvendësministren Voda

Voda u shpall fajtore për shkak se kishte pranuar vlera monetare për të ndikuar në punësim në ministri. Referuar hetimit të Prokurorisë së Posaçme, mes Vodës, Beut dhe Majlinda Hasanit janë realizuar tre takime në shkurt-mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës.

Ato janë përgjuar teksa flasin për dhënien e një zarfi me 1 mijë euro Vodës dhe janë filmuar në një bar në Durrës, teksa i japin zv. ministres një aparat celular. Lidhur me episodin e tretë, SPAK thotë se Voda ka shkuar në port me automjetin e Ministrisë së Brendshme që mbante si zyrtare e lartë dhe shoferin e saj për të marrë një arkë me peshk. /A2 CNN/