Megjithëse, viti i ri pritet me kureshtje të madhe dhe familjet janë ambientet më të ngrohta për kapërcimin e momentit të ndërrimit të mot moteve, posaçërisht në këtë periudhë pandemie në të cilën po kalojmë, Policia e Kosovës, zyrtarët e saj si gjithnjë edhe gjatë këtyre momenteve janë në kryerje të detyrës dhe po punojnë me përkushtim për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë.
Kështu thuhet në një njoftim për media nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, për t’i mbështetur në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive u.d drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samendin Mehmeti ka vizituar stacionin policor Jugu në rajonin e Prishtinës dhe njësinë policore e cila ishte në detyrë në hyrje të autostradës tek Veterrniku.
“Për t’i mbështetur dhe inkurajuar në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyre profesionale zyrtarët policorë, u.d. drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë, Kolonel Gazmend Hoxha Drejtori i Departamentit për Operacione, Arbnesh Ajvazi Drejtor i Divizionit për Siguri Publike dhe Gëzim Dibrani. Zv. Drejtor Rajonal i Prishtinës në Policinë e Kosovës, gjatë natës së vitit të ri vizituan stacionin policor Jugu në rajonin e Prishtinës dhe njësinë policore e cila ishte në detyrë në hyrje të autostradës tek Veterrniku. Zyrtarëve policor në detyrë dhe stafit mbështetës iu uruan vitin e ri 2021, me këtë rast falënderuan për vullnetin dhe kurajën që po tregojnë në çfarëdo kohe dhe rrethane për t’i shërbyer qytetarëve të vendit pa dallim”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet tutje në njoftim, Mehmeti në emër të Policisë së Kosovës uron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e Vitit të Ri, dhe garanton mbështetjen e plotë të PK-së për qytetarët e vendin për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ofrim të shërbimeve efikase policore edhe në vitin në vijim, për të garantuar një ambient të qetë, të sigurt dhe pa brenga për qytetarët tanë. /Telegrafi/