Njëri nga serbët e arrestuar mbrëmë pasi ishte kapur duke blerë uniforma dhe emblema të UÇK-së në Prishtinë, kishte kontakt me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA).
Siç bëjnë të ditur burime të Telegrafit, nga ekzaminimi i telefonit të njërit prej të arrestuarve është gjetur kontakti që kishte pasur me BIA-në serbe.
“Njëri nga serbët e arrestuar ka kontakt me BIA-në. Ne telefonin e tij është gjetur kontakt, që në telefon e ka të regjistruar ‘Ljuba BIA’. Pra, në telefonin e Dragan D. janë gjetur kontakte me figura ekstremiste ruse dhe serbe dhe edhe një kontakt me oficerin e BIA-së”, thekson burimi.
Policia e Kosovës ka arrestuar tre shtetas serb, D. D., V. J. dhe D. D., të cilët kishin blerë uniforma dhe emblema të UÇK-së.
Të njëjtat burime raportojnë se serbët së fundmi kanë përgatitur një plan për t’i realizuar disa video kinse disa ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të marrë veriun e Kosovës. Po ashtu, Serbia përmes kësaj taktike po planifikon që të jap pretekst para institucioneve ndërkombëtare për të ndërhyrë ushtarakisht, kinse për të mbrojtur shtetasit serbë të Kosovës.
Tre shtetasit serbë kanë hyrë në Kosovë në pikë kalimin kufitar “Dheu i Bardhë” në Gjilan, gjersa kanë lënë automjetin e tyre me targa të Nishit dhe kanë hipur në makinën e një qytetari shqiptar, i cili i ka sjellë në Prishtinë.
Përndryshe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë. /Telegrafi/