Telegrafi

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar nga autoritetet serbe.

Jankoviq tani ndodhet rrugës për në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari.

Jankoviq ishte ndaluar më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës – që lidh Kosovën me Serbinë.

Po atë ditë edhe 10 zyrtarë të tjerë policor kishin qenë cak i ndalimit. Përveç Jankoviqit, të tjerët ishin liruar nga autoritetet e Brendshme të Serbisë.

Sipas MPB-së, Jankoviq akuzohej për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla tha se ky arrestim ishte vetëm një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Serbisë pas votës masive të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.

Lexo po ashtu Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese

Për verpimet e Serbisë, kishte pasur reagime të ashpra edhe nga ndërkombëtarët.

Departamenti amerikan i Shtetit me 18 prill i kishte bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.

Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano kishte deklaruar se  EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e Jankoviqit.

Lexo po ashtu Çka po synon Serbia me arrestimin e zv/drejtorit të Policisë së Kosovës - flasin ekspertët

“EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e vazhdueshëm të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq në Serbi. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në rast që t’u përmbahen parimeve të sundimit të ligjit gjatë gjithë procesit”.

Sipas autoriteteve kosovare, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi./Telegrafi/