Kryeministrat, Zaev dhe Tsipras sot marrin pjesë në takimin në Londër në kuadër të “Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, por deri më tani nuk ekziston informacion për një takim të mundshëm të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk e di se a do të takohen në kuadër të “Procesit të Berlinit”. Deri më tani nuk ekziston ndonjë vendim apo ndonjë informacion i tillë”, tha zëdhënësi i Qeverisë greke. Dimitris Tzanakopoulos, duke iu përgjigjur në pyetjen e korrespodentit të AIM-ës nga Athina.
Greqia për herë të parë merr pjesë në takim dhe do të jetë anëtare e barabartë e iniciativës. Kryeministri i Greqisë nga Londra do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të takohet me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias dhe ministrin e mbrojtjes, Panos Kammenos, të cilët e përbëjnë delegacionin grek në Samitin e NATO-s.
Tzanakopoulos tha se Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s kur do të mbarojnë të gjitha obligimet e parapara në marrëveshjen e Prespës. /Telegrafi/