Telegrafi

Tyson Fury u përfshi në një zënkë në WWE, sigurimi e pengon përleshjen e tij me Braun Strowman

(Foto: Screenshot/Fox TV)

Është dashur intervenimi i sigurimit që të ndalë eskalimin e situatës ndërmjet Tyson Fury dhe Braun Strowman në evenimentin ‘Smackdown’ në kuadër të WWE.

Ish-kampioni i unifikuar botëror në boks (i cili është në pritje të rimeçit ndaj Deontay Wilder) kishte nxitur thashetheme se planifikon të përfshihet në ‘World Wrestling Entertainment’.

Ai ishte ulur pranë ringut në kuadër të sfidës ‘Smackdown’ në Staple Centre të Los Angelesit, por ai ishte më shumë se spektator në këtë ngjarje të transmetuar nga rrjeti Fox TV.

‘Gypsy King’ u bë pjesë e aksionit në duelin ndërmjet ekipit Heavy Machinery (i përbërë nga The Miz dhe Braun Strowman) që u ndesh me Randy Orton, Bobby Roode, AJ Styles dhe Dolph Ziggler.

Pasi i nxori nga ringu kundërshtarët, Strowman nisi një zënkë verbale me boksierin britanik dhe më pas e hodhi një kundërshtar drejt tij.

Pasi ndodhi kjo, Fury e kaloi barrierën në përpjekje për t’u ndeshur me amerikanin 36 vjeçar, mirëpo menjëherë ndërhyri stafi i sigurimit, ndërkohë që Strowman vazhdonte të qeshte. /Telegrafi/