Edhe pse ishte infektuar me coronavirus (siç ka thënë dy herë), Tyson Fury ka refuzuar ta marrë vaksinën para meçit ndaj Deontay Wilder duke thënë se shqetësohet për ndikimin e dëmshëm që mund të ketë në gjendjen e tij fizike.
Kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionin WBC më 9 tetor – të shtunën mbrëma (rreth orës 3:00 të mëngjesit në ditën pasuese me kohën tonë) – do ta zhvillojë duelin e trilogjisë ndaj boksierit amerikan.
“Nuk dua të hyj në ring dhe të ndihem i dobët apo diçka të ngjashme”, ka deklaruar Fury për MailOnline.
Megjithatë, ai ka pranuar se është shumë i kujdesshëm gjatë kohës që po ndodhet në Amerikë për të mos u infektuar me COVID-19.
Njerëzit që janë përfshirë në kampin stërvitor janë ndarë nëpër shtëpi dhe nuk kanë qenë në kontakt me njerëzit përreth.
Fury ka shpjeguar se e mbajnë edhe palestrën të sigurt duke e mbajtur mbyllur dhe duke mos e lejuar askënd tjetër që të hyjë brenda. /Telegrafi/