Edhe bukuroshet si Tyra Banks nganjëherë nuk janë të kënaqura me dukjen e tyre.
Supermodelja e famshme ka treguar se në fillet e karrierës së saj kishte zgjedhur t’i nënshtrohej rinoplastikës (ndërhyrjes kirurgjike në hundë) për ta rregulluar një defekt në hundë që e kishte shkaktuar gjatë një lëndimi si fëmijë.
Pranimi i saj për kirurgji plastike ka nxitur kundërthënie, mirëpo 44-vjeçarja ka rrëfyer se edhe të famshmit më të mëdhenj nuk janë të përsosur.
“Shihet qartë tek unë se e kam operuar hundën”, ka thënë ajo për E! News, në evenimentin e promovimit të librit të saj të ri, të cilin e ka shkruar së bashku me nënën Carolyn London.
“Dua që të gjithë të kuptojnë se njerëzit nuk zgjohen të famshëm”, ka shtuar bukuroshja duke sqaruar se për t’u bërë një mbretëreshë e pasarelave të modës i është dashur të kalojë shumë gjëra dhe se defektet eventuale fizike nuk pranohen lehtë.
Tyra ka thënë më tej se gjithmonë ka pasur probleme me celulitin dhe se është e hapur për t’iu nënshtruar ndonjë ndërhyrjeje tjetër kirurgjike për të tejkaluar pasigurinë trupore.
“Do ta bëja (ndërhyrjen kirurgjike)… Kur ecja në spektaklin e Victoria’s Secret, vazhdimisht i mbuloja të pasmet. Njerëzit kanë thënë: ‘Oh, ajo është nga top-engjëjt, prandaj ka veshje më të gjatë… Jo, unë po e fshehja celulitin”, ka treguar Banks. /Telegrafi/