Site icon Telegrafi

Tusk: Maqedonisë i është hapur rruga drejt Bashkimit Evropian

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i cili sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Bruksel ka realizuar takim me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Pas takimit Zaev dhe Tusk kanë mbajtur konferencë të përbashkët, ku kanë folur për arritjet e Maqedonisë dhe vendimin e Këshillit të ministrave të BE-së që me Maqedoninë bisedimet për anëtarësim të fillojnë verën e vitit të ardhshëm, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Kjo ishte javë e mbarë për vendin tuaj dhe për Ballkanin Perëndimor. Të martën ministrat e BE-së hapën rrugën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe pas disa orëve pres që shefat e shteteve ta konfirmojnë këtë vendim”, tha Tusk.

Ai shtoi se përparimi nuk do të ishte i suksesshëm pa angazhimin e madh të Qeverisë, duke shtuar se marrëveshja me Greqinë dhe Bullgarinë, paraqesin shembull për rajonin se si zgjidhen problemet.

Tusk falënderoi Qeverinë e Maqedonisë për rolin e saj për krizën e emigrantëve në vitin 2015.

Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev tha se sot në Bruksel është konfirmuar lajmi i madh për Maqedoninë, për të marrë datë për bisedimet në qershor të 2019./Telegrafi/

Exit mobile version