Turqia ka urdhëruar ndalimin e 68 të dyshuarve, duke përfshirë dhjetëra kolonelë, në një operacion që ka shënjestruar mbështetësit e supozuar të klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrim të tentimeve të dështuara për puç dy vjet më parë.
Urdhri është lëshuar nga zyra e Prokurorit shtetëror në Ankara, ndërsa të gjithë 68 të dyshuarit janë pjesëtarë të Komandës së Forcave Tokësore të Turqisë, prej të cilëve 19 ushtarë aktivë.
Duke vepruar në bazë të urdhrit të Prokurorisë, policia turke sot në mëngjes ka nisur operacione të njëkohshme në 19 provinca turke dhe ka arrestuar 19 të dyshuar, njofton AA.
Turqia ka ndaluar 160 mijë persona dhe ka shkarkuar gati numrin e njëjtë të zyrtarëve nga pozitat e tyre pas tentimeve të dështuara për grushtshtet, ka njoftuar në mars, Zyra për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara.
Në mesin e tyre, më shumë se 50 mijë persona janë akuzuar dhe janë mbajtur në burg në kohën e gjykimit.
Kritikët e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzojnë atë për përdorim të puçit të dështuar si arsyetim për të shtypur kundërshtarët.
Turqia në anën tjetër deklaron se masat janë të nevojshme për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare. /Telegrafi/