Site icon Telegrafi

Turqia synon të lidhë aeroportet e Stambollit me tren me shpejtësi të lartë

Turqia po kërkon të ketë një linjë treni me shpejtësi të lartë midis Stambollit dhe Ankarasë – dhe që do të lidhë dy aeroportet në metropol.

Projekti që do të lidhë linjën hekurudhore me Aeroportin Sabiha Gökçen në anën e Anadollit dhe Aeroportin e Stambollit në anën evropiane të qytetit është afër fazës së tenderit, u tha gazetarëve Adil Karaismailoğlu, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Linja e trenit me shpejtësi të lartë Ankara-Stamboll do të nis nga rrethi Gebze i provincës veriperëndimore të Kocaelit, do të kalojë urën Yavuz Sultan Selim dhe do të ndalojë në aeroportin Sabiha Gökçen përpara se të arrijë në Aeroportin e Stambollit.

“Do të arrijë në Aeroportin e Stambollit dhe prej andej do të vazhdojë në Evropë. Ne do të lidhim aeroportin tonë të Stambollit me rrjetin tonë të trenave me shpejtësi të lartë”, vuri në dukje ministri.

Megjithatë, Karaismailoğlu nuk dha asnjë detaj në lidhje me afatin kohor të tenderit për projektin.

Lidhja premton t’i shtohet një rrjeti tashmë të gjerë transporti në Stamboll, qyteti më i madh i Evropës që “ndanë” Evropën dhe Azinë, dhe të nxisë më tej lëvizshmërinë e pasagjerëve dhe ngarkesave, gjë që ka të ngjarë të mobilizojë lidhje më të mëdha dhe më të shpejta me Evropën. /Telegrafi/

Exit mobile version