Turqia ka shtyrë për një kohë të pacaktuar një raund të ri bisedimesh me Suedinë dhe Finlandën mbi ofertat e anëtarësimit të fqinjëve nordikë në NATO, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Takimi i planifikuar të mbahej në Bruksel u shty me kërkesë të Ankarasë, raporton transmetuesi shtetëror turk, TRT.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjithashtu pritej të merrte pjesë në bisedimet që do të mbaheshin muajin e ardhshëm.
Vendimi i Turqisë erdhi një ditë pasi presidenti, Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Suedinë se ai nuk do ta mbështeste ofertën e saj për t’u bashkuar me aleancën perëndimore të mbrojtjes pas djegies së Kuranit nga një udhëheqës i ekstremit të djathtë suedez.
Kujtojmë se ofertat për t’u anëtarësuar në NATO duhet të ratifikohen nga të gjithë anëtarët e aleancës, anëtare e së cilës është Turqia.
Marrëdhëniet suedeze-turke kohët e fundit kanë qenë të tensionuara dhe Ankaraja është zemëruar nga djegia e Kuranit jashtë ambasadës së saj në Stokholm.
Protesta u miratua nga autoritetet suedeze, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Turqisë. /Telegrafi/