Turqia do të shpallë tri ditë zie kombëtare pas sulmit në një spital në Gaza.
Kështu ka thënë një zyrtar i lartë turk për AFP, duke konfirmuar një raport në disa media lokale, përcjell Telegrafi.
Njoftimi do të bëhet zyrtar me një dekret presidencial, sipas Özlem Zengin, nënkryetar i partisë së presidentit AKP në parlament, cituar nga transmetuesi shtetëror turk TRT dhe kanali privat NTV.
Ndërkohë bombardimi i Spitalit Arab al-Ahli ka shkaktuar një valë zemërimi dhe protestash në të gjithë Lindjen e Mesme, me protestues që dolën në rrugë në të paktën tetë vende për të dënuar sulmin vdekjeprurës.
Kështu, qindra njerëz demonstruan jashtë ambasadave britanike dhe franceze në Teheran, ndërsa disa mijëra u mblodhën në Sheshin Palestinë në qendër të qytetit.
“Vdekje Francës dhe Anglisë”, bërtitën protestuesit, duke hedhur vezë në muret e kompleksit të ambasadës franceze në kryeqytetin iranian.
Veç kësaj, mijëra njerëz u mblodhën gjithashtu në ambasadat e SHBA-së dhe Izraelit në Aman me dhjetëra mijëra të tjerë që dolën në rrugë në të gjithë vendin.
Protestat shpërthyen edhe në Liban, ku Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite në kufi.
Gjithashtu, protestuesit e zemëruar u mblodhën jashtë ambasadës franceze në Tunis, duke denoncuar gjithashtu SHBA-në.
Masakra e spitalit shkaktoi protesta në Bregun Perëndimor të pushtuar, me qindra palestinezë që dolën në rrugë në Ramallah.
Protesta u mbajtën gjithashtu në Libi, Jemen dhe Marok për të denoncuar sulmin ndaj spitalit. /Telegrafi/