Telegrafi

Turqia kërkon nga tri media prestigjioze botërore të marrin licencat për operim brenda 72 orëve, ose t’u bllokohet qasja

Mbikëqyrësi i transmetuesve në Turqi u ka dhënë tri agjencive ndërkombëtare të lajmeve 72 orë për të marrë një licencë operimi ose përndryshe t’u bllokohet qasja në platformat e tyre, tha një anëtar i agjencisë të mërkurën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ilhan Tasci, i cili është gjithashtu një ligjvënës i opozitës, kritikoi masën e Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit (RTUK) për të kërkuar licenca nga faqet e internetit në gjuhën turke të transmetuesit gjerman Deutsche Welle, Zëri i Amerikës dhe Euronews, duke thënë se kjo shënon një sulm të mëtejshëm ndaj lirisë së medias në Turqi.

“Me shumicë votash u mor një vendim që t’i jepen 72 orë uebsajteve amerikaninsesi.com, dw.com/tr dhe tr.euronews.com për të marrë licenca”, citohet të ketë thënë Tasci, një nga nëntë anëtarët e RTUK-së në një postim në Twitter.

Bordi i RTUK-së, i cili dominohet nga partia në pushtet AK, nuk ishte menjëherë i disponueshëm për të komentuar se pse kishte kërkuar licencat.

Siç vlerëson tutje VOA, Turqia vitet e fundit ka shkuar në drejtim të rritjes së mbikëqyrjes së medias duke i dhënë RTUK-së mbikëqyrje gjithëpërfshirëse mbi të gjithë përmbajtjen në internet, të cilën ajo gjithashtu ka fuqinë për ta ndaluar.

Rreth 90% e medias kryesore në Turqi tani është në pronësi të shtetit ose është afër qeverisë.

Tasci tha se objektivi i vërtetë i RTUK ishte liria e medias.

“Pas medias kombëtare, është radha e faqeve ndërkombëtare të lajmeve që të mbikëqyren dhe të gllabërohen. Me qasjen e RTUK-së ‘ka video në faqe, duhet të marrë licencë’, nuk do të ketë më lajme të pambikëqyrura”.

Aleatët perëndimorë dhe grupet e të drejtave kanë akuzuar qeverinë e presidentit Tajip Erdogan se ka përdorur një grusht shteti të dështuar të vitit 2016 si një pretekst për të “mposhtur ata që nuk pajtohen”.

Qeveria e mohon këtë, duke thënë se masat e saj janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve të sigurisë me të cilat përballet Turqia. /Telegrafi/