Site icon Telegrafi

Turqia kërkon nga Kosova përmirësimin e ambientit të biznesit

Kosova duhet ta përmirësojë edhe më tej ambientin biznesor në mënyrë që të tërheq investitorë të jashtëm. Sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja Kosova nuk qëndron mirë, kjo për faktin se investitorët kapitalin e tyre e bartin aty ku vendet u ofrojnë lehtësira në biznes.

Këto shqetësime u disktuan gjatë takimit të anëtarëve të Odës tregtare kosovaro-turke (OTKT) me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të cilët diskutuan për klimën biznesore në vend.

Gjithashtu u trajtuan temat e ndryshimeve të fundit në Kosovë, ikjet ilegale në Evropë, reformat e parapara nga Qeveria e Kosovës, sektorët që kanë potencial për investim në Kosovë, si dhe ambientet e investimeve dhe bashkëpunimeve.

Kryetari Odës tregtare kosovaro-turke (OTKT), Ahmet Mithat Milli, ka thënë se çdo herë do të japin kontributin për zhvillimin ekonomik, mirëpo ai ka potencuar se institucionet kosovare duhet të bëjnë rregullimet e nevojshme për përmirësimin mjedisit të investimeve dhe zhvillimin e politikave stimuluese.

Ai ka shtuar se Kosova është duke kaluar në vështirësi ekonomike dhe politike dhe mënyra për t’i kaluar këto vështirësi, sipas tij, është zhvillimi ekonomik.

Ministri Stavileci shkëmbeu mendimet për biznesin, zhvillimet e fundit dhe reformat ekonomike në vend. Ai beri të ditur se Qeveria e Kosovës për të arritur një mjedis më të mirë të biznesit është duke bërë përpjekje të mëdha, duke përmendur pakon e reformave ekonomike e cila ka kaluar nga qeveria.

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Songul Ozan, bëri të ditur se këtë organizim e kanë bërë për qëllim të realizimit të takimeve të bizneseve.

Në takim morën pjesë firma turke që janë investitorë të mëdhenj në rajon dhe në Kosovë, ku edhe u trajtuan temat nga bota e biznesit në bisedat miqësore. /Telegrafi/

Exit mobile version