Telegrafi

Turqia e mbështet Kosovën në ndërtimin e një tjetër stadiumi modern

Kosova është në pritje të fillimit të punimeve të stadiumit nacional, i cili është vendosur të ndërtohet në Drenas.

Mirëpo, Ministria e Sportit duket mjaft ambicioze dhe qysh tash po mendon për stadiumin e dytë të Kosovës, shkruan zëri.info.

Lexo po ashtu Zyrtare: Qeveria e Kosovës cakton lokacionin për ndërtimin e stadiumit nacional

Për ta realizuar këtë projekt tjetër gjigant, ministri i Sportit, Kujtim Gashi e ka marrë rrugën drejt Turqisë, ku është takuar me homologun e tij, Ministrin e Sportit të Turqisë, Osman Askin Bak, në takimin që është zhvilluar të enjten në Ankara.

Ministri Gashi e falënderoi ministrin Bak për pritjen dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritashme që Turqia e ka dhënë për sportin e Kosovës, sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit të tij, por edhe në fushat tjera.

“Ministri Kujtim Gashi ka kërkuar nga shteti mik i Turqisë që ta ndihmojë Kosovën edhe me një stadium tjetër të dytë, pasi që për Stadiumin Kombëtar kanë filluar procedurat”, njofton fillimisht MKRS-ja.

Lexo po ashtu Gashi në Hungari, kërkon konkretizimin e marrëveshjes për ndërtimin e stadiumit kombëtar

Dhe, duket se pala kosovare e zhvilloi një takim mjaft të frytshëm, pasi turqit janë treguar të gatshëm dhe në dispozicion të ndihmojnë në këtë aspekt.

“Gashi me këtë rast mori premtime se Ministria e Sportit dhe e Rinisë e Republikës së Turqisë do të angazhohen në këtë drejtim që ky projekt kapital të realizohet sa më shpejt, fillimisht me takimin e profesionistëve për ta hartuar një plan dhe më pas të diskutohen modalitetet e financimit të stadiumit dhe ndërtimit të tij”, shton Ministria e Sportit.