Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, zhvilloi një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Turqisë, Mustafa Şentop, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, në veçanti për bashkëpunimin parlamentar.
Sipas kumtesës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, Osmani e falënderoi Turqinë për përkrahjen e dhënë Kosovës gjatë pandemisë, duke dhuruar donacione me material mbrojtës në kohën kur Kosova po sfidohet me situatë të rënduar në ballafaqimin me këtë virus.
Şentop, ndërkaq, theksoi se kanë gatishmëri që t’u përgjigjen edhe kërkesave të tjera të Kosovës, qoftë për pajisje mbrojtëse, qoftë për mjekim të pacientëve.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryetari Şentop theksoi se dialogun e vlerësojnë si çështje të rëndësishme, ndërkaq kryetarja e Kuvendit theksoi se ky proces duhet të përfundojë me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia, në kufijtë aktualë të Kosovës dhe duke respektuar parimin e unitaritetit të shtetit.
Të dy kryetarët u pajtuan për intensifikim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar. /Telegrafi/