Turqi dhe Izraeli në një klimë të tendosur prej 2010-ës, ranë dakort për të finalizuar në mënyrë sa më të shpejtë një marrëveshje me synim përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, njoftuan sot autoritetet e Ankarasë në përfundim të seancës së negociatave në Londër.
Në një deklaratë të publikuar dje në mbrëmje, Ministria turke e Punëve të Jashtme vuri në dukje progresin dhe përafrimin gjatë bisedimeve, duke pohuar se të dyja vendet ranë dakort që marrëveshja do të finalizohet në takimin e radhës që pritet të organizohet së shpejti.
Nga ana e tij, një zyrtar izraelit njoftoi se janë përafruar këndvështrimet e dyja palëve.
Bisedimet e Londrës u drejtuan nga zëvendëssekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Feridun Sinirlioglu nga pala turke. Izraeli u përfaqësua nga i dërguari i posaçëm i kryeministrit Benjamin Netanyahu, Joseph Ciechanover dhe presidenti i përkohshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjenerali Jacob Nagel, sipas Ankarasë.