Site icon Telegrafi

Turqia bie dakord që Suedia të anëtarësohet në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka rënë dakord të ratifikojë pranimin e Suedisë në aleancë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Stoltenberg, Erdogan dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson u takuan më herët gjatë ditës për të diskutuar shqetësimet e Turqisë rreth lejimit të Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Suedia thuhet se ka rënë dakord të mbështesë përpjekjen e Turqisë për t’u bashkuar me BE-në.

Hungaria është tani i vetmi anëtar i NATO-s që nuk ka rënë dakord ende për anëtarësimin e Stokholmit në aleancë.

Ndryshe, Turqia ka kritikuar Suedinë për “strehimin” e militantëve kurdë.

Stoltenberg po fliste në Vilnius pasi priti bisedimet midis Erdogan dhe kryeministrit suedez Ulf Kristersson përpara një samiti të NATO-s në kryeqytetin lituanez.

“Presidenti Erdogan ka rënë dakord të përcjellë protokollin e pranimit për Suedinë në Asamblenë e Madhe Kombëtare [parlamentin e Turqisë] sa më shpejt të jetë e mundur dhe të punojë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin”, ka thënë Stoltenberg.

Ai e përshkroi këtë si një “hap historik”, por theksoi se nuk mund të jepet një “datë e qartë” se kur Suedia mund të bashkohet me aleancën ushtarake. /Telegrafi/

Exit mobile version