Site icon Telegrafi

Turistë nga Izraeli, vizitojnë Parkun Kombëtar të Thethit

Një grup turistësh nga Izraeli vizituan Parkun natyrorë të Thethit. Ata u shoqëruan në këtë udhëtim turistik, nga specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër.

Thethi ka mjaft për të treguar nga bukuritë e ti natyrore deri te ato kulturore dhe historike.

Thethi gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tiroli, Austri.

Ndërsa për banorët e kësaj zone, Dr. Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”.

Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë Grykën e Ndërlyses dhe ballafaqohet me mrekullinë e Kanionin e Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.

Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mulliri i Blojes, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar. Çdo ditë,tani në stinën e verës,Thethi pret vizitor.

Turistët Izraelit kaluan fundjavën në këtë mrekulli natyrore të Shqipërisë. /Telegrafi/

Exit mobile version