Site icon Telegrafi

Tur turistik me foto të vjetra (Foto/Video)

Kompania Balkan Natural Adventure ka futur në funksion turistik ekspozitën e fotografit pejan Valon Begolli, për të treguar përmes fotografive transformimet që i ka pasur Peja gjatë viteve.

Në turën e fundit kulturore për vizitorë britanikë, Balkan Natural Adventure i ka prezantuar klientëve të vet albumin e fotografive të bërë nga Begolli, i cili me mjeshtri ka fotografuar vendet e ndryshme në qytetin e Pejës nga këndi i njëjtë me fotografi të vjetra ekzistuese.

Disa nga këto fotografi janë bërë në tri kohë të ndryshme, duke treguar gjendjen e objekteve para luftës, menjëherë pas luftës dhe tani.

“Edhe unë jam në biznesin e turizmit, pasi menaxhoj restorantin që ka më së shumti turistë të huaj në Pejë dhe i ndihmoj secilit kolegë në mënyrë që të kemi vizitorë të kënaqur”, ka thënë Begolli.

“Peja është qytet që për 150 vjet ka kaluar nëpër 9 sundime të ndryshme, dhe kjo ka transformuar qytetin dhe pamjen e tij. Përmes këtyre fotove mund të tregojmë këtë transformim dhe të ofrojmë një përjetim të këndshëm për vizitorët”, ka shtuar Begolli.

“Është kënaqësi të punosh në Pejë, ku ka më shumë njerëz që dëshirojnë të ndihmojnë. Me Valonin bashkëpunojmë në shumë fusha dhe kjo është njëra ndër to. Mendoj se klientët kanë qenë të kënaqur me tërë vizitën duke përfshi edhe pjesën kulturore”, ka thënë Nol Krasniqi.

Krasniqi ka udhëhequr një grup të turistëve britanikë, të cilët kanë ardhur në Kosovë për një vikend të gjatë. Ata kanë bërë dy ditë ecje në mes të Bjeshkëve të Deçanit dhe atyre të Lumbardhit për të kaluar ditën e fundit në Via Ferrata, Pejë dhe Prishtinë.

Jonathan Edwrds  njëri nga vizitorët ka thënë: “Për shkak te historisë së re të Kosovës kam qenë pak i brengosur para se te vije. Por është mirë, është perfekt”.

Exit mobile version