Gazetarja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina ka thënë se Franca nuk e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave por ka dashur që ky proces të lidhet me procese të tjera siç thash çështja e ETIAS.
Ajo tha se nëse nuk mund të thuhet se ka qenë ditë pozitive, atëherë nuk ka qenë ditë negative.
Vetë fakti sipas saj që asnjë shtet nuk është deklaruar qartazi kundër liberalizimit tregon se ka sinjale pozitive.
“Franca nuk e ka kushtëzuar së paku jo sot. Franca ka shprehur dëshirën që ky proces të lidhet me procese të tjera siç thash çështja e ETIAS-it, çështja e riatdhesimit dhe çështja e përshtatjes me regjimin e vizave. A do insistojë Franca në këto kërkesa mbetet të shihet”, tha ajo.
Tutje Tuhina tha se nuk duhet harruar se Franca është një shtet shumë i rëndësishëm. “Sepse vendimi për liberalizim merret me shumicë të kualifikuar, votat janë aty, mirëpo nëse është një shtet kaq i rëndësishëm siç është Franca insistuese në disa kërkesa, atëherë mund edhe të stagnojë procedura”, shtoi ajo.
Prandaj tha Tuhina se kërkesat e Francës janë shumë të rëndësishme marr parasysh fuqinë e këtij shteti në BE.
“Mos të harrojmë që ishte Franca ajo që e kishte bllokuar për vite të tëra çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën sepse numrat ndoshta edhe kanë qenë aty, matematika ka qenë në shërbim të Kosovës, por vetë fakti që Franca ishte kundër, asnjëherë nuk është ndërmarr asnjë hap. Fakti që sot për herë të parë është trajtuar rekomandimi i KE-së për liberalizim, vetvetiu është lajm pozitiv , vetvetiu është sinjal se procedurat po nisin”.
Ajo tha se tash mbetet të shihet se çfarë do të shkruaj Franca në dokumentin që pritet të dorëzohet deri me 21 tetor dhe kur do e përcaktojë presidenca ceke takimin e radhës. “Aty do të jetë indikacioni se në çfarë drejtimi po shkon procesi i liberalizimit të vizave”, tha Tuhina.
“Gjithsesi nuk është akoma ndonjë hap prapa, nuk është atmosferë negative, përkundrazi shumica dërmuese ishin pozitiv përfshirë edhe Francën pavarësisht disa kërkesave shtesë”.