Chelsea ka humbur ndeshjen e dytë këtë edicion në garën më prestigjioze evropiane për klube, Ligën e Kampionëve.
Londinezët janë mposhtur nga Juventusi me rezultat minimal 1-0 falë golit të Federico Chiesas që e shënoi për italianët.
Duke marrë parasysh mungesat që kishte Zonja e Vjetër, është pritur që Chelsea të kaloj më mirë në Allianz Arena dhe të marrë rezultat pozitiv, por kjo nuk ndodhi.
Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka folur pas humbjes së pësuar ndaj Juventusit dhe vuri në dukje problemet e skuadrës së tij.
“Nuk e nisëm ndeshjen në formën më të mirë. Në 15 minutat e para mund t’i kishim ndëshkuar. Kishte shumë hapësira për të dërguar topa të rrezikshëm në zonë”.
“U përpoqëm të krijonim ritmin dhe intensitetin tonë, pasi ata ishin pasivë dhe luanin shumë thellë. Na munguan vrapimet sot. Ishim mirë në stërvitje, por jo aq të lirshëm sot në ndeshje. Nuk e di pse”, u shpreh Tuchel.
Tutje trajneri gjerman deklaroi se është shumë e vështirë të analizohet se çfarë ndodhi në këtë sfidë.
“Ndjeva se ishim të ngadaltë dhe të lodhur, mendërisht të ngadaltë në vendimmarrje. Prandaj edhe është e çuditshme të analizohet çfarë ndodhi”, ka deklaruar pas ndeshjes Tuchel.
Ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve, Chelsea do ta zhvillojë ndaj Malmos në Stamford Bridges në kuadër të Grupit H. /Telegrafi/