Telegrafi

Tuchel e konsideron të pamundur kalimin e Chelseat në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve

Chelsea ka humbur 1-3 ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve në shtëpi të tyre nga Real Madridi.

Kur kemi mbetur një ditë në prag të ndeshjes së kthimit, trajneri i Chelseat ka folur para kësaj ndeshje, duke thënë se do të provojnë përmbysjen e madhe, edhe pse një gjë e tillë thuajse është e pamundur sipas tij.

“Është një nga sfidat më të mëdha të performosh në “Santiago Bernabeu”, tha gjermani fillimisht.

“Është edhe më e vështirë nëse duhet të fitosh me një rezultat të caktuar, nëse duhet të fitosh duke qenë në disavantazh prej dy golash ose më mirë ndoshta me tre gola diferencë. Kjo e bën pothuajse të pamundur dhe shumë, shumë të vështirë, por gjithsesi ia vlen të provohet. Ne nuk kemi nevojë për asgjë tjetër përveç një skenari fantastik që të jemi në gjendje ta kapërcejmë këtë fazë”, vazhdoi Tuchel.

Londinezët e kishin eliminuar edicionin e kaluar Real Madridin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 3-1, ku sfida e parë në Madrid përfundoi baras 1-1 derisa në Londër Chelsea fitoi 2-0.

“Detyra është tepër e vështirë dhe sfida është tepër e madhe duke pasur parasysh rrethanat e ndeshjes së parë, ku luajmë, kundër kujt luajmë dhe në çfarë faze luajmë këtë lloj ndeshjeje”, shtoi Tuchel.

“Gjithmonë lejohet të ëndërrosh. Ndonjëherë është e rëndësishme të imagjinosh gjërat dhe të ëndërrosh për to, por kjo nuk do ta zhvendosë fokusin nga fakti që duhet të realizojmë dhe duhet të jemi gati”, tha në fund Tuchel.

Dueli i kthimit çerekfinal mes Real Madridit dhe Chelseat zhvillohet të martën mbrëma me fillim nga ora 21:00. /Telegrafi/