Telegrafi

Tubim në mbështetje të agresionit rus, serbët vizatojnë shkronja “Z” në veturat e tyre

Serbët po vazhdojnë t’i japin përkrahje shtetit rus në agresionin e saj në Ukrainë.

Qindra serbë janë tubuar sot në parkingun pranë Qendrës Sava dhe kanë valëvitur flamujt e Rusisë, Serbisë, të republikave të vetëshpallura të Luganskut dhe Donjeckut si dhe Rusisë cariste.

Shumë prej tyre, siç raporton nova.rs, kanë të vizatuar shkronjën “Z” në veturat e tyre, ashtu si edhe forcat ruse në Ukrainë.

Prania e policisë nuk është e dukshme dhe siç mësohet jozyrtarisht, plani është që kolona e automjeteve nga Beogradi i Ri të shkojë në Zemun, pastaj në presidencë në Kralja Milana, të bëjë një rreth në Slavija dhe më pas të kthehet te Beogradi i ri.

Deri më tani, nuk ka aktivistë apo qytetarë që protestojnë kundër sulmit rus në Ukrainë. Veturat kanë targa të ndryshme dhe qytetarë kanë ardhur nga e gjithë Serbia.

Lexo po ashtu Rusia po dërgon luftëtarë nga Serbia dhe Siria - për të ‘plotësuar’ ushtarët e humbur në Ukrainë

Në vend dëgjohej edhe muzika ruse dhe ky tubim u mbështet nga grupi i djathtë Patrol Popullore.

Kujtojmë se ditët e kaluara u njoftua se në të njëjtin parking do të mblidheshin njëkohësisht qytetarët që dënojnë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. /Telegrafi/